"Ati" - një roman për gjëra që dihen e nuk shkruhen dhe anasjelltas


Ati ishte aq i pamëkat, sa nganjëherë të vinte ta vrisje”. Kjo fjali më ndalonte të bëja ndryshime në roman gjatë këtyre 14 vjetëve. Librin kam vazhduar ta shkruaj qysh nga shkurti i 2003-shit, por vetëm në kokë. Mbeti një libër që shkruhej pa duar, në kujtesën time dhe në mosnjohjen e lexuesit.
Gjatë çdo ‘ndërhyrjeje’ në roman, më vegohej se sa pak ishte shkruar për flijimet dhe pamundësitë e prindërve, dhe sa shumë për gabimet apo mangësitë e tyre. Kulmi është se, kur gjykojmë paraardhësit, asnjëherë nuk mbajmë parasysh kushtet shpirtërore, por vetëm ato historike.
E folmja e personazheve është qëllimisht ‘e shkartisur’, me përngjitje disi shqetësuese nga të dy dielektet dhe nga të gjitha të folmet, edhe si shprehi e përçarjes së pashpallur që sundon shoqërinë e sotme, e një shqipeje përherë në kapërcyell, por edhe si pasqyrë e paragjykimeve të vetë lexuesit.

Shumica e ngjarjeve dhe hollësive rrjedhin nga kjo histori, ku diktatura e një ideologjie mori trajtat e një diktature mbi vetë fatin njerëzor dhe e fatit mbi vetë njeriun. Kur ideologjitë çojnë vetëm në utopi, - duke u shndërruar rëndom në masakra të shumëfishta, - aq sa njeriu të kënaqet me sa më pak dhe të mos ngopet me asgjë, dhe kur për pjesën tjetër të jetës shkruhet një letërsi mashtruese, “Ati” më ndihmoi të shoh gjëra që dihen e nuk shkruhen dhe anasjelltas. Se shpesh aty ku jeta duket e padurueshme, dendësia e përjetimeve, e pyetjeve pa përgjigje, është një lloj mrekullie.
“Ati” rimerr nga një këndvështrim tjetër temën e gjak- / hakmarrjes. Çdo marrëdhënie mes brezave ka brenda të paktën një etje për hakmarrje. Përtej çdo loje fjalësh, mund të flitet për një gjakdhënie që zgjon hakmarrjen dhe për një hakdhënie që, çuditërisht, ndjell, ose sjell gjakrrjedhje. Secili brez e ndjen veten të përligjur të hakmerret ndaj brezit paraardhës, gjoja në emër të brezit pasardhës, dhe kësisoj dëmton tre breza. Kjo edhe ngaqë ende jetojmë brenda një historie, ku të ashtuquajturat “ide shpëtimtare” helmojnë gati çdo lidhje gjaku, por edhe anasjelltas: kriteri biologjik i përzgjedhjes, sidomos në fushën e dhuntive, u ndryshon kahun ideve të mira.
Është shkruar shumë pak edhe për: vetëmohimin e babait, heshtjen e papërkthyeshme të nënës, vetminë e secilit prind më vete dhe sëbashku, për mënyrat si shpërblehen vuajtjet e tyre gjer edhe kur çdo shpërblim duket si vuajtje e shtuar.  

Ardian-Christian Kyçyku
Bukuresht, 2017