"Lumenjtë e Saharasë" - 30 vjet më pas, ose më parë

Si me të qeshur, ata që lindeshin kur shkruaja këtë roman i kanë kaluar tashmë të tridhjetat... Edhe një dëshmi se mosha e mirëfilltë është në tekst, jo në kalendar. As në trup. Falenderime Shtëpisë Botuese PA dhe të përkushtuarës Feride E. Berisha(Bukuresht, Qershor, 2017)

„Revista SarasSi e keni shkruar romanin e parë; keni pasur në mëndje modele?

Ardian-Christian Kyçyku: Ka qenë “Lumenjtë e Saharasë”, në vjeshtën e vitit 1986. Mbaj mend se isha gati i ngujuar nga shirat e Tiranës, ndërsa shpirtërisht endesha brenda e rreth një Pogradeci të gjithëkohshëm, me më shumë shpirtra se sa njerëz. Zgjati më pak se një javë dhe ishte një lloj i çuditshëm tërbimi, si e ndonjë shpirti të kapur në rrjetë, por në rrjetën e Bukurisë se Epërme, kur kupton se aq bukuri s’e përballon, s’e tret dot, dhe njëherazi nuk ndalesh së ëndërruari, në mos po së luturi, që ajo të zgjerohet e të kapërcejë çdo cak. Nuk është aspak lojë fjalësh kur them se doja të tregoja gjëra që s’rrëfehen lehtë dhe të rrëfeja gjëra që s’tregohen lehtë.”(Revista Saras, Tiranë, Gusht, 2015)