Trialog

[Ese ndërdisiplinore mbi lidhjet e letërsisë me mërgimin 
dhe me gjuhët që ajo zgjedh për të ruajtur Kujtesën dhe Metaforën]

“Trialog”-u synon të japë një pamje sa më përfshirëse, të shpjeguar edhe në mënyrë krahasimtare, mbi gjendjen e botës, të librit dhe të shkrimtarit sot, parë me sytë e një letërsie të përkushtuar, që nuk pranon të tjetërsohet. Letërsia nuk është pikëmbërritja e librit, por pikënisja kryesore për të zbuluar cilësinë e jetës në këtë ngastër kohe që duket e mbrame dhe e paharrueshme. Një cilësi që varet kryekëput nga besimi tek Krijuesi dhe tek ruajtja e gjuhës së shkruar e të folur.

Duke pasur njëherazi natyrë parabolike, enciklopedike dhe antologjike*, hartuar me synimin „Improving the quality of life” të European Academy of Performin Arts**, duke përdorur polemikën si shprehi të çdo baraspeshe të cënuar dhe duke synuar të ruajë ritmin me të cilin rifreskohen natyrshëm enciklopeditë dhe fjalorët letrarë, libri:

  • sjell të dhëna të panjohura, ose shprehur në trajtë të paplotë, nga dy kultura të ngjashme dhe me fat të përafërt, si ajo shqiptare e rumune, për të rilidhur dhe / apo rifreskuar disa fije të këputura të një bashkëpunimi të hershëm që, për fat të keq, është mbyllur kryesisht në çështje jashtëletrare;
  • e sheh Lindjen si një trajtë të zgjeruar kulturore të hapësirës ballkanike dhe Perëndimin – si një trajtë të ngushtuar politike të Evropës së Përhershme;
  • pasuron të dhënat rreth veprimtarisë së panjohur të shqipta-rëve të Rumanisë në epoka të ndryshme dhe ndihmesës që ata dhanë jo vetëm për kulturën shqiptare, por edhe për atë rumune e evropiane;
  • arsyeton dhe argumenton të vërtetën se dygjuhësia është në radhë të parë një dëshmi e pasurisë dhe forcës së letërsisë nga të cilat shpërngulen, - pjesërisht, ose plotësisht, - disa autorë, pastaj e aftësive përthithëse të letërsive pritëse dhe ku ato mbartin e zhvendosin cilësi kujtese të metaforizuar;
  • flet me hollësi, bindshëm dhe ndershmërisht për libra që vazhdojnë të bëjnë epokë, ndonëse mbahen qëllimisht në hije, për të përligjur ecurinë e titujve të modës / të së tashmes kalimtare, duke cënuar kësisoj rrjedhën e natyrshme të letërsisë, e cila nuk prodhon kryevepra dhe libra themelvënës në përputhje me kalendarët biologjikë, apo historikë;
  • risjell në qendër të vëmendjes akademike rolin e mbrapshtë që mund të kenë editing-u, përkthimi dhe shtypi, kur u nënshtrohen direktivave të së sotmes dhe nuk ndjekin të vërtetën se stili, - në një kuptim të zgjeruar - dhe estetika e pavarur janë të vetmit që e ruajnë letërsinë të mos dalë nga sistemi i vet i shenjave, rrjedhimisht nga misioni i saj;
  • përmes stilit si alter-ego e autorit, ku autori është alter-ego i tekstit), libri trajton disa çështje thelbësore të gjuhës, ligjërimit artistik dhe të folmeve; të marrëdhënies së tyre shpesh të tendosur e me pasoja jo gjithmonë të mbara;
  • përshkruan dhe shpjegon mënjanimin dhe mbajtjen në hije të disa letërsive, librave, autorëve themelvënës, vetëm për hir të konfortit si synim tashmë ndërplanetar, në dëm të vetë qënies njerëzore, të kujtesës dhe të së ardhmes së breznive që nuk kanë fatin të përjetojnë drejtpërdrejt vështirësitë e përnjimendta, jo të caktuarat nga një botë virtuale, e cila zbaton mbi njeriun një syrgjyn / mërgim mendor e shpirtëror, që vetëm mund të robotizojë e të uniformizojë;
  • zbërthen rolin e disa kritereve të reja që dëmtojnë ecurinë e letërsive të njohura e të mbarëpranuara si kombëtare (gjer edhe kur vlerat e tyre janë të përbotëshme) dhe synojnë të prishin kritere shkencore që dëshmojnë prej vitesh saktësi, njohje të thellë të fenomenit letrar, paanësi, moral të padiskutueshëm, idealizëm, dhe zbatohen në emër të harmonisë mes shkencës dhe artit;
  • e vendos tekstin letrar, estetikën dhe rrjetin e ideve përballë kultit të individit në letërsi, kult i cili, në disa kultura, merret nga politika dhe zgjerohet sa herë autorëve të njohur u dobësohet vepra, ndërsa në kulturat ballkanike vjen si pasojë dhe shprehi e djegies së etapave të qytetërimit, apo e disa mitologjive ende të ngrira. Me pak përjashtime, studimet e deritashme i kanë shërbyer këtij lloj kulti edhe me vlerësime që shartojnë shkencoren me tepri detajesh jashtëletrarë, edhe me goditje çmitizuese që burojnë nga krenari të sëmura dhe / ose nga strategji politiko-ekonomike. Historikisht, rënia e këtij kulti dhe kthimi i studimeve letrare drejt së natyrshmes, paraprihet nga vlerësime zërash të papërligjur shkencërisht, nga festime groteske dhe prani gati e padurueshme e kolosëve në shtyp, ku këta shprehen për gjithçka;
  • përshkruan dhe shpjegon mënyrat me të cilat disa libra / autorë ndëshkohen për shkaqe jashtëletrare, teksa disa të tjerë (që njihen si zyrtarë, ose eutorë), vlerësohen po në bazë të atyre shkaqeve, shpesh të njëjtët;
  • i përcjell të dhënat, gjykimet dhe përfundimet e dëshmuara, por edhe të mundshme, me një stil që nuk zgjeron pushtetin e bindjeve, të lëvizjeve dhe ndryshimeve që prishin baraspeshën e letërsisë dhe të shoqërisë;
  • nuk vjen si një alternativë anarkiste që ka për qëllim të verë në dyshim, apo të godasë studimet dhe / ose mënyrat e deritashme të hulumtimit, por që t’i plotësojë ato me sa është e mundur, në kushtet kur hulumtimet ndaj letërsisë dhe ndikimi i tyre mbi shoqërinë hasin pengesa të panumurta, aq sa shpesh detyrohen të mbyllen në një hapësirë virtuale (tekstore), të cilën e përcaktojnë njëherazi: tepria e teorisë, stili “i thatë” (me rrënjë e përkatësi në shkencat e sakta) dhe kthimi i vëmendjes së lexuesit drejt pragmatizmit të skajshëm / mirëqënies kryesisht, ose vetëm biologjike;
  • nuk e sheh si të domosdoshëm rishkrimin e historisë së letërsisë për sa kohë ai nuk vjen si nevojë e brendshme letrare-shkencore, por ka shtysa jashtëletrare;
  • shprehet hapur mbi atë lloj letërsie që emërtohet e ndaluar dhe mbi shkaqet, por edhe metodat e vërteta që ia ngushtojnë hapësirën; para se të jetë çështje politiko-ekonomike, kjo është një çështje smire jo vetëm ndaj talentit, por edhe ndaj vitalitetit të disa librave / autorëve, çka i ve qarqet e së tashmes para detyrës të kapërcejnë vetveten, të zgjedhin tjetër veprimtari, dhe të pranojnë hierarkinë letrare që nuk ngjizet nga njeriu;
  • sjell të dhëna nga vepra e autorë të ndaluar, edhepse disa syresh janë të vlerësuar dhe shpesh të njohur në nivel evropian e më gjerë, në radhë të parë me prejardhje rumune (për disa nga këta libra dhe / ose autorë ende ushtrohet dënimi me heshtje për shkaqe jashtëletrare që nuk kanë më asnjë ndikim mbi jetën shoqërore, por edhe me famë të cunguar, përmes një sinekdoke të errët që shtrembëron të tërën, duke vlerësuar më pak thelbësoren, ose duke çmuar hapur vetëm anësoren);
  • e përfton vuajtjen krijuese edhe si një pamundësi të qënies artistike (“kafshës metaforizuese”) për t’u ngritur në nivelin e bukurisë dhe harmonisë së një bote, e cila, në mungesë të planeve dhe veprimeve të ngutura (eufemizëm) njerëzore, është një kryevepër-gjendje e përkryer;
  • paraqit disa nga përmasat e trajtuara pamjaftueshëm të mërgimit, të kalimit të disa shkrimtarëve nga gjuha amtare në dy gjuhë, - të njëkohëshme, ose vetëm në një gjuhë të huaj, - nga identiteti në bidentitet, dhe të rolit shpesh të keqkuptuar të kufijve e lirive në të ardhmen e letërsisë së mirëfilltë;
  • fton që metaforat dhe detajet e jetës letrare të ngrihen, - natyrshëm dhe kur është rasti, - në rangun e argumentit shkencor, jo vetëm falë thellësisë dhe dijeve që përçojnë, por edhe si baraspeshim mes dijeve të shkruara / lexuara dhe atyre të dëgjuara, çka gjallëron natyrshëm aktin e hulumtimit shkencor;
  • përfshin në rrjetin e argumentimeve shkencore e letrare copëza nga përvojat shumëvjeçare të besimit njëzotësh (monoteist), - veçmas nga letërsia e Kishës Lindore, - të cilat fitojnë më tepër vërtetësi brenda lexuesit, veçmas në kushtet e zgjerimit të neopaganizmave dhe të lëvizjeve që shpallin një fund bote / jete dhe botë tjetër pa Zot, pa njeriun si njësi që ndryshon në thelb nga krijimi pikërisht ngaqë përfaqëson Kurorën e Krijimit, gati njëlloj siç Krijuesi dallohet nga krijimi dhe krijesat e Tij. Citimet nga tradita e Kishës Lindore sillen edhe si shembuj se autorët / librat jetëgjatë të hapësirës ballkanike mbështeten mbi një truall që dëshmon parreshtur e prej shekujsh përkushtim ndaj vlerave të përhershme dhe qëndresë ndaj çdo lëvizjeje vetëm-njerëzore, qoftë kjo edhe e përbotëshme, por edhe se gati të gjitha rimarrjet e letërsisë nga ajo traditë janë kryer me ndershmëri dhe mirëbesim të plotë – gjë që nxjerr në pah edhe përkushtimin e dyanshëm të autorëve, ndonëse të parët kanë ndërruar jetë shumë kohë përpara të dytëve;
  • rimerr disa koncepte dhe ide në të paktën tri zona të tekstit, por nga kahe të ndryshëm, me synimin që çështjet e trajtuara të shihen më qartë dhe të depërtojnë në sa më tepër vetëdije lexuesish me bindje të rrënjosura, por jo për debat si qëllim në vetvete;
  • përdor disa nga parimet e letërsisë së krahasuar në gërshetim me parime të imagologjisë, sidomos sa u përket epokave letrare dhe tipareve të tyre, me qëllim që modernizmi dhe pasmodernizmi të studiohen si lëvizje të gjalla, jo muzeore***;
  • e përdor bibliografinë sipas parimit jo sa më shumë tituj, por (vetëm) librat e domosdoshëm, duke u kujdesur që pjesa e dëgjuar e të dhënave të vijë nga të paktën dy burime që nuk kanë lidhje mesveti (këtu përfshihen dëshmi me shkrim, kujtime, të dhëna gojore nga e ashtuquajtura bohemë letrare, si dhe ide që dalin pas hulumtimit të fotografive apo dokumenteve të tjera pamore, pa u dhënë hamendësimeve një rëndësi që s’mund e s’duhet ta kenë);
  • i rikujton lexuesit flijimet e të përkushtuarve ndaj librit gjatë epokave të ndryshme historike dhe letrare, gjer edhe vetëm për hir të së vërtetës se vuajtja dhe flijimet për idealin-libër (si ndërmjetës i pazëvendësueshëm mes botës zanafillore dhe asaj që pason jetën) përzgjedhin thelbet e kohërave, njësojnë epokat, në bazë të cilësisë, jo të historisë, duke i dhënë harresës ato që meriton: ngjarje, zgjidhje, gjykime etj që vetëshpallen thelbësore, të padiskutueshme dhe të papërsëritshme;
  • sjell (mbartzhvendos, kthen, edhe për të ruajtur) në shqip pjesë cilësore nga veprimtaria e autorit gjatë më tepër se 24 vjetëve në fushën e hulumtimeve letrare, duke nisur me doktoratën në letërsi të krahasuar e botërore (“Drejtime të modernizmit evropian dhe jehona e tyre në letërsinë shqiptare mes dy luftrave botërore, ose Shqisa përgjakëse e rigjetjes”), duke vijuar punimin e doktoratës në teologji (“Marrëdhënia Zot-Kozmos në besimet monoteiste”) e deri tek librat me studime, përvojën në arësimin e lartë dhe esetë e botuara gjatë kësaj periudhe në shqip, rumanisht, anglisht, ose në dy / tri gjuhë. Libri përcjell edhe të dhëna nga jeta mbi tridhjetëvjeçare në botët letrare shqiptare, rumune e më gjerë, përfshi veprimtarinë si gazetar i kulturës së pakicave kombëtare dhe si botues e drejtues në Revistën Haemus dhe në Librarium Haemus Editions****.

“Trialog”-u nuk rreshton si qëllim në vetvete të gjitha prapësitë dhe mangësitë e djeshme e të sotme kundër letërsisë, - sepse letërsia pasurohet në masë të barabartë prej tyre dhe motërzimeve të tyre të kundërta, - por synon të rishprehë të vërtetën se letërsia humb çdo vlerë e rol në një shoqëri që mohon e tjetërson vuajtjen krijuese, si dhe përpiqet të shmangë pranimin e tragjikes si mundësi njohjeje e ngritjeje mbi biologjiken. Metaforikisht, do të mund të thuhej se, përsa kohë jemi në këtë trup, nuk meritojmë një botë më të mirë, as atë që ravijëzon letërsia. Duke përftuar e shfrytëzuar drejt vuajtjen krijuese, mund të bëhemi të aftë të jetojmë qysh tani atje dhe atëhere ku / kur letërsia ëndërron.

Duke qënë i bindur se njëra nga dramat më të mëdha të njerëzimit, - njëherazi shkak e pasojë e luftrave, krizave etj të shekullit XX, - nisi kur ‘piramidat u shndërruan në rrjete’, zgjodha për librin një strukturë që mund të emërtohet kristal dhe piramidë*****. Kjo nuk luan rolin e pasqyrës, por të harmonisë së tejdukshme, ose, më saktë: rolin e një qelqi të shumëfishtë që përzgjedh, riharmonizon e ruan nga kaosi vetëm detajet që nuk dëmtojnë sistemin e shenjave. Nuk është fjala për një pamje të rreme që mashtron lexuesin përmes hijeshisë së stilit, apo befasisë së vërejtjeve, por për pamjen e parme të botës dhe të ngjarjeve. Në themel të kësaj metode qëndrojnë empatia, frymëzimi dhe metafora. Për këtë arsye, disa herë ndodh që të dhënat shkencore të duken tepër letrare, ose artistike, por nuk lejojnë që të hidhen poshtë nga të dhëna të tjera, prej të cilave, në të vërtetë, i ndan vetëm mënyra e të shprehurit. Në lexim të parë, kjo mund të krijojë përshtypjen se ndërdisiplinariteti nuk i kalon caqet e një përngjitjeje apo arnimi eklektik detajesh, por kahu piramidal që ndjekin detajet drejt ngjizjes së të tërës do ta ndihmojë lexuesin të përjetojë e të njohë krejt mënyrën falë së cilës përzgjedhja, tretja dhe shprehja e copëzave shndërrohet në një libër që ngrihet e merr jetë mbi çdo gërshetim detajesh nga disiplina që shpesh, në thelb e në mjete, e përjashtojnë njëra-tjetrën. Për këtë shkak, secili kapitull ka zgjedhur brenda meje një stil të caktuar dhe një rrjet të dhënash që harmonizohen sa më bindshëm me idetë kryesore të tij.

“Trialog”-u është hartuar pa mbajtur parasysh “kanune” e pasoja mbi ecurinë e krijimtarisë sime si shkrimtar dygjuhësh, pa trysni letrare, apo jashtëletrare. Struktura e tij synon jo vetëm të ftojë në një lexim të dytë dhe / ose paralel, - mbase më të lirë e pjellor, - por edhe të rishkruhet nga çdo lexues i vëmendshëm, në varësi të përvojës dhe shijeve të tij.
  
2. Përmbajtje & topics

Në vend të shumësit
[Hormoni kundër neuronit. Mërgim i krahasuar. Padija e lexuesit mesatar si përpjekje e kaosit për të fituar mëvetësi mes botës zanafillore dhe asaj virtuale. Gjuha – shtëpi e qënies, por sidomos qënia – shtëpi e Gjuhës. Jemi siç flasim. E tashmja rreth letërsisë dhe e Tashmja e Letërsisë. Globalizimit i vijnë në ndihmë edhe ata që e dënojnë, edhe ata që e çmojnë. Atlase, letërnjoftime, letër. Lindja si trajtë e zgjeruar kulturore e hapësirës ballkanike – Perëndimi si trajtë e ngushtuar politike e Evropës së Përhershme. Tematika e kohës; koha e stilit. Dy kultura – në pabarazi të përhershme. Recensere in-humanum est. Vuajtja që pranon gjithçka dhe vuajtja që të pranon. Tri rënie të letërsisë. Kujtesa dhe „një thërrime jete pa tmerre”. Mirëqënia biologjike si përmasë e anonimatit. Mes kritereve, lexuesit dhe tjetërsimeve. Vlerat, çmimet, Çmimi. Struktura: kristal dhe piramidë, ose shkencë në letërsi dhe anasjelltas. Shkenca u kushtohet pritjeve të shumicës, por bëhet nga një pakicë. Metafora – mjet thelbësor në hulumtimin e letërsisë. Nga “kafsha politike” tek “kafsha që metaforizon”.]

I. Nga kufijtë e së tashmes në të tashmen pa kufij
[Shkurtimisht mbi kufij, kufizime dhe mërgim(e) në letrat shqipe. Një pagjumësi që ruan baraspeshën. Liria e shpërdoruar dhe burgimi i përkohshëm i librave jetëgjatë. Letërsi e ndaluar, jetë e ndaluar. ”E Vërteta dhe Liria – dhembje të gjalla”. Ata që lëvdonin jetën e keqe, përçmojnë letërsinë e mirë. Hyu, ose Përmasa e katërt. Një shkrimtar i mirëfilltë nuk ka trup. Një „pse” e madhe sa fëminia. Moshat dhe drita. Outizmi, ose e sotmja kundër së përhershmes. Kthimi i kujt dhe ku?!]
  
II. Hapësira që vazhdon të mbahet peng
[Ex Oriente lux. Kur jeta trëndet mbi kokë. Jemi “në Portat e Lindjes, ku asgjë s’merret seriozisht”. Mbështetës të Jetës së Epërme në “Fuçinë me Barut”. Xhelatë dhe të flijuar. Atje ku hahet më mirë dhe atje ku vuhet më bukur. Nga vuajtja vetjake – tek vuajtja e dhe në vend të të pagojëve. Vuajtja nxjerr emrin nga numuri. “Bukuri tmerrisht e dashur / Llaftari tmerrisht e bukur…” Përkthime nga Jogjuha / Mbigjuha. Më thuaj për çfarë vuan, të të them cili je; sepse do të kuptoj çfarë dashuron dhe si dashuron. Një Shekull i ri, apo vetëm njëqind vjet të tjerë… Vuajtja që, përmes tekstit, njëson kohët dhe qëniet, duke ringjizur kontinentin e dikurshëm. “Këtu jeta pihet dhe vdekja harrohet”. Kakofonitë shpirtërore, ose ligjërimi i ngurtësuar i egocentrizmit në Fuçinë me Metafora.] 

III. Uni-versum
[Shpërblimi nga e në metafora. Libër i shkruar në mërgim, në gjuhën (e dytë) pritëse. Ngjallje për së gjalli dhe një grimcë më tepër fuqie. Shartimi i dhimbshëm, apo ligjet e mbijetesës. Shkalla drejt Gjuhës së Mbijetës. Pamëshira e historisë shpesh tërheq mëshirën e Perëndisë. Mbi shpërbërjen dhe rrezikun. Libër i shkruar në gjuhën amtare, (por) në mërgim. Dalje nga “mëma e ardhmërisë”. Përroi dhe psikika e ngjarjeve. Një pamje tjetër e vëllavrasjes. Makthe. Vrasim ende pa u lindur. (Sh)qytetërimi dhe kahu i pjellorisë.] 

IV. Një gramatikë e Mërgimit – në dy gjuhë „të huaja”
[Lënda letrare si dëshmi shkencore. Thonjëzat e lëndës letrare i vendos historia; thonjëzat e lëndës historike – arti i të shkruarit. Përmes stilit, nga arti drejt së vërtetës historike e shpirtërore. Mërgimi nuk është sëmundje, por as nuk shërohet ndonjëherë. Pragjet e një Kinemaje. Muri mbart njollën (e gjakut, e bojës?) apo njolla murin? Kthime, ose „Udhët e pagjetshme të Dhurimeve”. „Disa nuk ngjallen më, të tjerë nuk vdesin më”. Vëlla e motër të një huajsimi. Një libër i lexuar pjesërisht, por vetëm i imi.]

V. Pasqyrë e dyfishtë
[Ftesa dhe tundimet. Dy hierarki. Dy Gjuhë, dy letërsi, i njëjti kufi. Letërsia si zgjerim zemre. Mëhallat e botës – botët e Mëhallës. Sistemet dhe zemra, ose Ideologji, Utopi, Judologji. Nënletërsia, dy kthime, dy dosje. Një thërrmijë jete, por një tjetër lindje. ‘Drita, dëshmia e parë e honeve’. Asgjëja – fajtore dhe trajtë e përjetësisë. Intro.]

VI. Gjuha e Trojeve, trojet e Gjuhës
[Letërsia, gjuhët, uni i shkrimtarit. Përvoja vetjake nga e shkruara në dy gjuhë. Zhvendosja e shkrimtarit: mes dëbimit dhe dërgimit. Një autor në dy jetë – dy jetë në një autor. Sa atdhe mund të jetë një gjuhë dhe anasjelltas. Grupi „Gjuhë të lashta – Letërsi të reja“. Bidentity. Këndi në Gjeometrinë e Epërme. E ardhmja – mes emrit dhe numurit.]

VII. Presspektiva
[Evropa prej ëndrre dhe ëndrra për Evropën. Tema të mëdha – lexues gjithnjë e më të mesëm. Ngujimi i detyruar. Unitet në imunitet. Tregu i librit drejt librit për treg. Shtypi dhe liria me këste. Politically & economically & literally correct. Si-libri dhe Libri. Një mijëvjeçar që ende nuk ka dalë nga shekulli. Vëllimi si njësi dhe si prani. As altari s’ndyhet, as ti nuk shenjtërohesh… Vrastari shembull magjepsës. Rrënjë e degëzime idhujtarie. Risitë letrare të një epoke të caktuar dhe caqet e paranojës. Kur eufemizmi vret empatinë. Topos dhe tropos. Duhet të ngjasojnë… Hija e Dritës, drita e hijes. Solatius vanitatum, ose Breznia Nickname & Like. Një “si” e patundshme letërsie.] 

Në vend të njëjësit
[Historia e bojës – e mbytur në gjak. Historia e gjakut – e rifituar me bojë. Harta dhe historia e nënkulturës. Selfie / Selfish / Selfishing. Futurologji, humanizëm, turizëm. Fundi i botës në virtualitet dhe anasjelltas. Stili – alter-ego e tekstit dhe përmasë e vërtetësisë. “Apokalipsi është shkruar që të mos ndodhë”.]




* Në kuptimin: përthith të dhëna nga sa më shumë burime të besueshme, përzgjedh thelbet me paanësi dhe i radhit në një mënyrë e cila mund të zgjojë tek lexuesit edhe pyetje, edhe dëshira, edhe nevoja për hulumtime të ardhshme.
** Autor i devizës dhe Copyright: Ardian Kycyku. 
*** Shih veprat teorike të akademikut Dan Grigorescu (Bukuresht, 13 maj 1931 - 15 prill 2008), anglist rumun, historian i letërsisë, eseist, kritik letrar, përkthyes, profesor i letërsisë së krahasuar, kritik dhe historian arti, anëtar i Akademisë Rumune qysh më 2004.
***** Çështje e trajtuar më gjerësisht në kapitullin me titull Në vend të shumësit, nënkapitulli Struktura: kristal dhe piramidë, ose shkencë në letërsi dhe anasjelltas.



Fragment

“Në epokën e sotme, - që mund të emërtohet edhe e Luftës së shumëfishtë të hormonit kundër neuronit dhe e trupit kundër librit, - letërsia duket sikur e ka humbur synimin dhe forcën për të zgjedhur e ruajtur thelbe që meritojnë të mos harrohen dhe që e mësojnë qënien njerëzore si të mos dalë nga sistemi i vet i shenjave. Liria e shprehjes, mbështetur mbi të drejtat e njeriut, zgjerohet në sipërfaqe dhe humb në thellësi, duke cënuar cilësinë e jetës, ose të paktën e mban mes kufijve të mbijetesës dhe të mirëqënies biologjike. Tepria e të dhënave anësore ka krijuar bindjen se kjo periudhë është më e rëndësishmja në historinë e njerëzimit dhe, falë zbulimeve, zhvillimeve, fatkeqësive, përzjerjes së racave e kulturave, ajo do të mbetet vendimtare dhe nuk do të harrohet”. 


A.-Ch. Kyçyku, Trialog, Librarium Haemus, 2016 - work in progress