“Shtojca” [Filmi i një kthimi / Kthimi i një filmi]

- është pjesë e një trilogjie kinematografike të Ardian-Christian Kyçykut, që përqëndrohet në hapësirën mërgim-kthim të jetës shqiptare e ballkanike, si dhe në marrëdhëniet përherë të mjegullta mes Lindjes dhe Perëndimit. Mërgimtari shqiptar Indrit, i cili, ‘në rini, para se të largohej nga atdheu, pat ëndërruar të bëhej arkitekt. Por nuk ia ka dalë mbanë të jetë veçse një shtetas i fshatit global, ose fshatar i shtetit global’ dhe punon si zv.skenograf në një teatër të vjetër perëndimor. Papritur vendos të kthehet në vendlindje pas njëzet ‘e ca’ vjetësh, jo vetëm për të çuar atje disa shënime, të cilat i sheh me rëndësi vendimtare për Dosjen e vet të fshehtë, por edhe për t’u bindur se vërtet dikur ka kaluar aty fëmininë dhe rininë, ka dashuruar dhe ka ndjekur studimet. Ritakimet me ish-të dashurën, me njërin nga shokët më të afërt të gjimnazit (sepse të tjerët kanë mërguar), me disa fqinjë dhe me të panjohur, u japin ngjarjeve një kah të çuditshëm. Pas një kohe të papërcaktueshme peripecish, çmalljesh, ankthesh e vegimesh, Indriti rikthehet në vendin ku ka mërguar bashkë me një kafkë.

Disa replika nga filmi:

“Ky jam unë kur nuk e di ku dhe kur jam. Nuk jam gjenì. Para se të mërgoja, jo rrallë më dukej vetja gjenì, shpesh i pakuptuar, por mërgimi më qetësoi. Shumë të tjerëve u ndodhi e kundërta. Për fat të keq, shumica e tyre mbetën me atë bindje… Vetëm të pakuptuar mbetëm – dhe kjo na mban ende të ngjashëm...”

“Murtaja e shkrimit kish rënë prej vitesh, por mua, si zakonisht, më kapi kur të tjerët tashmë i kishin botuar kryeveprat. S’mbaja mend qysh kur nuk pata hedhur në letër ndonjë varg, ose mendim. Duke mos shkruar më, kisha nisur edhe të lexoja gjithnjë e më pak. Heraherës, kur mbetesha pa bukë, ëndërroja shpikjen e një aparati që të mund t’i shndërronte vizatimet në libra”.
“Ja kështu, si në ëndërr: Vite më parë na i mbyllët dyert, që të dilnim jashtë; vite më pas na i hapët, që të mos hynim dot brenda…”

“Për shkak të dosjes që përmenda, disa prej tyre trembeshin se mos u dilnin të palarat në shesh. Sado shollë të mund të qe bërë faqja e bashkatdhetarëve, disa ende kishin kafshime ndërgjegjeje. Trembeshin se mos zbuloja që më kanë spiunuar, kurse unë… lutesha që të më kishin spiunuar, madje të kishin shkruar sa më shumë ngjarje, fjali, skica, ide të miat, sa më hollësisht… që të bindesha se i pata jetuar… dhe, - nëse shtrohej çështja, - t’i jetoja në kujtesë…”

Diçka u thye dhe u ndy atëhere, - se dashuritë e mëdha hapin plagë jo të vogla, sidomos në miq e të afërm, - por kanë kaluar kaq kohë dhe nuk besoj se do bëhemi si ata kalamajtë që luftojnë të fshijnë qurrat në rrobat e njëri-tjetrit... Sidomos ajo ‚ca’-ja e njëzet e ca vjetëve ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm pajtues...”

“Shikoji vetë dhe thuaj nëse e kam gabim... Me flokët drizë, ose me tullën hënë, këta ndahen vetëm në dy raca: Një - pasuruar me drogë e krime, vishen si gjynahqarë, që të mos bien në sy, por edhe që të mos i marri njeri mësysh, dhe Dy – brekëgrisur që vijnë e krekosen këtu nga jashtë, me rroba e çinglamingla floriri të marra borxh, ose të blera me këste, ashtu, për të cilat s’merret vesh ç’kanë lënë peng atje… (Fshin me cepin e kanatieres xhamet e dylbisë). Mos ka ardhur gjë për të marrë ndonjë gjak ky?! Apo ka ardhur të më marrë dylbitë, se të atit ia mora, para se të ikte...”

“Ka qënë tmerr, Indrit, ta dish! Tmerr, ë. Ca si ne besojnë edhe sot e kësaj dite se këtë vend e prishi më fort mungesa e cave si ju, se sa pafuqia, egërsia, çoroditja dhe tradhtitë e cave si ne. Por do kalojë koha, siç edhe po kalon, dhe ca si ju… ca si ne…”

“Mrekulli! Fama e disave ka kapërcyer çdo cak, ka hyrë dhunshëm në hapësira që s’kanë lidhje me të, dhe kësisoj e ka zvogëluar botën. Mua më duket se po e bën të pabanueshme. Prandaj shumë vetë vrasin veten. Jo se s’mund të jetojnë, por se s’kanë ku... (...)Po nuk të duket çudi që analfabetizmi shtohet, shumica e lexuesve s’e kanë haberin nga letërsia, e megjithatë librat e disave shiten në miliona kopje?!”

“Tani... ca gjëra duhen shprehur hapur, që secili të flerë sa më pa pengje... Ndërgjegja nuk mësohet kurrë me kafshimet, siç ndodh të mësohet robi me dashurinë trupore... Nejse... Le ta themi hapur se ju më keni llogaritur gjithmonë si të vdekur. Ose të vdekur fare, ama!... Përshpirtje më keni bërë? Të nëntat, të dyzetat, më-the-të-thashë… 

„As populli s’e di kush qan vërtet dhe pse në ditë të tilla”.

Disa skenarë të Ardian-Christian Kyçykut, si “Vend për një kukull të vetme” dhe “Qielli në zarf” janë botuar si libra më vete në gjuhën rumune.