Qytetar Nderi i Pogradecit

 

"Në kuadrin e 45 vjetorit të lindjes, në Pogradec, më 20 gusht, nga Bashkia e atij qyteti, nën kujdesin personal të kryetarit të Bashkisë, zotit Artan Shkëmbi, iu dorëzua titulli “Qytetar Nderi” shkrimtarit të shquar Ardian-Christian Kycyku (pseudonimi letrar i Ardian Kyçykut).

Shkrimtar sa në gjuhën shqipe, aq edhe në atë rumune (mbi 35 libra në gjuhët shqip e rumanisht), botues, - bashkë me të atin, akademikun Kopi Kyçyku, - i Revistës Evropiane Haemus, rektor i Universiteti Rumun të Shkencave dhe Arteve “Gheorghe Cristea” të Bukureshtit, Ardian Kyçyku është i njohur në jo vetëm në hartat kulturore rumanisht e shqipfolëse por, i përkthyer në 12 gjuhë, ai ka arritur të bëhet ndjeshëm i preferuar nga lexuesit elitarë në tërë kontinentin europian.


Një nga arsyet e kthimit të vëmëndjes nga ky shkrimtar me talent të pazakontë, është fakti se ai po shkruan në një stil pothuaj krejt të ri, me të njëjtën përgjegjesi në shqip e rumanisht, duke vendosur në arkitekturën e veprave kulturën, historinë, frazeologjinë, psikologjinë dhe temperamentin e personazheve sipas vendeve përkatës. Këtë nuk mund ta bëjë vetëm thjesht një krijues, pa qenë studjues e personalitet më horizont të gjerë kulturor. Simbolika, esseja, filozofia, humori deri në ironi therëse, janë tipare dalluese të prozës së autorit.

Në Rumani është vlerësuar nga kritika si një ndër tre shkrimtarët më të mirë të atij vendi, ndërsa në Shqipëri, në vitin 2013, u vlerësua nga Ministria e Kulturës me Çmimin Kombëtar “Penda e Argjendtë”.

Salla në Bashkinë e Pogradecit ish tejet e mbushur me personalitete të letërsisë, artit, kulturës, si dhe familjarë, miq e dashamirës të autorit. Vajza e tij, Julia-Maria, është me talent mjaft premtues në prozë dhe në fotografinë artistike. U pritën me interes fjala e z. Sotiraq Margçri, Skënder Demolli, Novruz Xh. Shehu etj. Zotërinjtë Novruz Xh. Shehu dhe Ferdin Liçaj erdhën posaçërisht nga Tirana për këtë veprimtari
". 
N. Xh. Shehu
23 gusht 2014







Novruz Xh. Shehu, Ardian Kyçyku, Ferdin Liçaj

Shkrimtari Novruz Xh. Shehu dhe Akad. Kopi Kyçyku
Foto: Ferdin Liçaj
Pogradec, gusht 2014