Ata dhe Aty

Photo & Copyright Iulia Enkelana
Nuk e dija që kisha një kockë pikërisht aty. Apo më shtrëngon ndonjë dorë e zezë, që synon të më marrë frymën? Më dëgjon?
Po, zemër.
Edhe zemra kështu më përgjigjet, më ka ardhur në majë të hundës. Gjej ndonjë ledhatim tjetër, se jemi bërë si në kasaphanë.
Po ‘shpirt’ të duket ca si shumë. Edhe mua.
Atëhere hiqi fare dhe bjeri shkurt: po – jo, se fjalët e tepërta vijnë nga i paudhi.
Do ngrihem të bëj kafenë. E martë është sot?
E hënë. Po pasditja e së hënës është tashmë e enjte.
Tënden e ke këtë?
Kë?
Shprehjen.
Jo, po ç’rëndësi ka?! Po të rrish të zgjedhësh se ç’kemi tonën e ç’kemi nga të tjerët, i bje që vetëm ca po e ca jo janë tonat. Edhe ato…
Ehe, po e jo kanë të gjithë.
Po, por i thonë rrallë e më rrallë. Disa vdesin pa i thënë kurrë.
Paska gdhirë. Po kur u gdhi kështu?!
Janë dritat e kasaphanës. Dhe ai viçi i reklamës, që qesh me gojën vesh më vesh, sikur therja të jetë ngjallje së vdekuri.
Për viçat mund të jetë ashtu.
Jo, për ne është ashtu. Nuk besoj se viçat kanë aq mëkate, sa të bëjnë hak martirizimin.
Nuk i dihet.
A të bëj një radiografi unë, që të shoh në e kam pasur këtë kockë qysh më parë, apo më është fanepsur tani?
Ti s’ke pasur asnjëherë gjumë të thellë.
As të gjatë.
Mban mend si shfryje kundër atyre që e shpallnin gjumin si ilaç kundër kancerit?
Jo, prisja të ma kujtoje ti. Kundër kancerit është vrimë në ujë, ama kundër shitjes së shpirtit...
Ke ndonjë borxh që s’ma ke thënë?
Jam gjer në grykë, por vetëm ndaj Zotit… Po si mund të mendosh për lekë në krevat, aman?! Sa më shumë kalojnë vitet, aq më gjahtare bëhesh. Madje jo gjahtare, po vrasëse. Të paguan njeri?
Që çfarë?
Që të m’i vrasësh metaforat pa i shprehur mirë.
Kështu të duket nga pleqëria, zem
Po nuk pendohem, zem.
Që çfarë?
Që përfunduam bashkë.
Nuk kemi përfunduar akoma.
E di, po s’para shoh rrugëdalje tjetër. Dhe unë do ta thyej zverkun i pari, se ju keni jetëgjatësi macesh. Që të mos them korbash, a krokodilësh.
Unë s’jam ne, jam unë.
Kur më torturon kjo kocka e re dhe më kapërcen gjumi… E kur shikoj që ti fle si qengj, jo sikur të m’i kesh ngrënë mëlçitë më gjatë se diktatura e tranzicioni bashkë, më vjen të rrëfehem.
Para ca kohësh sikur qe shpretkë, jo mëlçi.
Pikërisht. Po shpretkën ma mbarove. Tani ia ke hyrë mëlçisë. Po a e ke pyetur veten ndonjëherë, moj zem: sa shpretkë, sa mëlçi, sa zemër mund të ketë ky njeri?
Ndofta të janë shtuar edhe të përbrendshmet.
Mos u tall, se të hyra me këtë kockën e re dhe të bëra mavi… Ë, mos e merr me gjithë mend, se bëra shaka. Mos ji kaq e ndjeshme, si ndonjë çupërlinë.
E di që nuk guxon të ngresh dorë mbi mua.
Jo të ngre, por të ul. E bëre atë kafenë?
Të shkoj?
Jo. Ke lejë të më vrasësh çdo metaforë, po kurrsesi të më ndërpresësh kur rrëfehem.
Nuk është mirë t’i rrëfehesh njeriut.
Ti s’je njeri, je ime shoqe.
Do ketë arritur, ylli i mamit?
Pse, për ku u nis ylli i babit?
Me gjithë mend harrove, apo tallesh?
Do arrijë shëndoshë e mirë, ku do mbytet?! Sot nuk ka si të mos arrijë robi. Sot, ai që niset, arrin shëndoshë e mirë. Se është i mbytur në borxhe.
Ti e ke mësuar ashtu.
Mblidhe trurin: sot, po s’pate borxhe gjëkundi, je i cofur. Huadhënësi kujdeset për ty si s’ta merr mendja. Ty s’të kujtohet, se s’ke qenë aty.
Ku?
Në kohën kur rashë në dashuri më Atë.
E unë gjer tani rroja e bindur se të mora të përkorë.
S’ka të përkorë këtu. Më more, kjo i thotë të gjitha. Ne lindemi kurvarë. Ku e lamë?
Ti e di ku e le, se unë s’paskam qenë aty.
A, po. Nuk kisha borxh gjëkundi. Si zogth në tramundanë isha, si pendë në mëshirë të erës. Çuditesha me vete: po si ka mundësi, edhe i varfër, edhe pa borxhe?! S’ma kapte truri se si mund të jetë njeriu edhe varfanjak, edhe aq i lirë. Se këtej e tutje vërtet besuam që jemi gjithnjë e më të lirë… Ose të paktën u munduam të jemi sa më pak të burgosur…
Ëhë. E mes atyre mëdyshjeve e pyetjeve madhore, t’u fanit ajo… Me a të madhe, apo të vogël?
Të madhe sa rradakja jote. Nuk dua të bjemë në nivelin e atyre çifteve që përdhosin dashuritë e kaluara të njëri-tjetrit.
Atëhere mos e ndyj ndërgjegjen dhe mos u ul në nivelin e... Atëhere edhe mua m’u fanit Ai. Me a të madhe sa shkalla.
Cila shkallë?
Ajo që përdorje për të vjelë rrushtë.
Jo, ty s’mund të të fanitesha veçse unë.
Atëhere: vetëm ti. Ama, ta dish që nuk është fare e drejtë.
Nuk ka drejtësi në këtë dynja, zgjohu.
Të shkoj të bëj kafenë?
Jo, zgjohu e mos lëviz vendit. Sa herë të kam thënë mos futësh çinglamingla mes rrëfimeve të mia?! Unë flas për yje, ti shton kakërdhi.
Epo, një jetë të tërë jam robtuar të shtoj yje.
Ku të shtosh ti yje?! Harroje atë punë. Unë i urrej kakërdhitë, dihet. Për rrjedhojë, nuk i përdor kurrë.
Ashtu të duket tani.
Jo, ashtu të duket ty.
Në rregull, ti e di.
Unë, kush tjetër?!
Ku e le?
Ku të të pëlcasin.
Mirë, të më pëlcasin. Do m’i mbledhësh ti ciflat e do m’i vesh në çantën e dorës?
Në cilën çantë?! Ke çantë dore?
Në atë që do marr me vete në varr.
A, patjetër. E ke blerë tashmë, apo e do dhuratë për Shën Valentin?
Jo, falemnderit, kam një kodër me kinezërira.
E, mos u trishto tani. Sot vetëm ne nuk jemi bërë prej kinezëve e ustallarëve të tjerë. Apo jemi bërë?
Nuk e di. Kocka e re ç’mendon për këtë çështje?
Bëj pallë, se s’mund të kthehem tani. Po pasi ta shkul këtë kockë të mallkuar, ose kur thjesht ta mpij me ndonjë gjilpërë, gazmendi yt nuk do jetë kaq i flaktë.
Do një qetësues?
Më mjafton ti.
Ja, kështu fliste ai që m’u fanit atëhere. Vetëm se ai besonte në ato që thoshte.
Tani sikur po më hapen sytë. Nuk të gjykoj, mos më keqkupto. Vetëm se një pyetje skëterre ma bren shpirtin. Më keq se kjo kocka, a dora e zezë, a ç’mutin është.
Të dëgjoj.
Ç’më dëgjon, kur unë hesht dhe ha veten?!
Nuk do ma thuash atë pyetjen? Ndofta lehtësohesh.
Kemi një jetë bashkë, a rrezik dy a tri jetë. Si mund të të fsheh një pyetje të tillë?! Po të kishe qenë ndonjë tjetër, nuk i dihet.
Po, pra.
Ku mutin isha unë.
Nuk kuptoj.
Kjo është pyetja, pra.
Ku mutin isha unë?!
Po.
Kur?
Kur të fanitej ai tjetri.
Sapo qe gdhirë e hëna, pasditja e së cilës kaherë ishte e enjte. Atë e zuri gjumi sërish. Rrinte mbledhur si ndonjë foshnjë ende e palindur në bark të nënës dhe nuk rënkonte. Siduket ajo kocka e re, ose dora e zezë, ia përpinte edhe rënkimet e mundshme. Ajo i ledhatoi flokët e gjatë e të thinjur, e puthi lehtë në lule të ballit, duke përsëritur me vete: “Se mos unë e dija ku isha, zem…”. Dhoma kundërmonte aromë kafeje. Ajo gjithmonë bindej se dikush, i padukshëm, ardhur fshehtas nga rinia e tyre, ua bënte kafenë pandijshëm, kur flinin, rënkonin, grindeshin si për forcë zakoni, ndoshta ngaqë nuk arrinin ta besonin se janë Ata dhe Aty. 

A.-Ch. Kyçyku, Tregime të padukshme, Librarium Haemus, Bukuresht 2013