"Arti për të vetëvrarë" (rrëfim)





Poeti i dashurisë ende nuk e kish vrarë veten. Jo ngaqë armët qenë ndaluar para gjysmë shekulli dhe helmimi ishte punë grash, kurse prerja e damarëve, ose ngulja e thikës e trembte. Nuk kish pasur kohë ta vriste. Qënia e fundit që pat shkëmbyer ca fjalë me Poetin e Dashurisë kishte qënë papagalli i tij plak, i cili, një mëngjesi, u këput nga druçka ku ngrefosej gjatë dhjetë vjetëve të fundit dhe u ngul me kokë, si për t’u ushqyer gjatë gjithë amëshimit, në kutizën me fara kërpi. Kishte qënë fund korriku, vapë mbytëse, dhe Poeti, në mungesë të telefonit dhe i ngurosur në shezlong, pat fishkëllyer nja gjysmë ore, derisa veterinerit të qytetit t’i dilte rakia e një nate më parë dhe të sillte ndërmend se ishte nga të fundit qytetarë që dinte se Poeti nuk kish ndërruar jetë. Qyteti shquhej për dy lloje të sëmurësh: ata që lëngonin me dekada dhe të cilëve shtimi i numurit të ilaçeve ua shkurtonte numurin e ditëve, dhe ata që hidheshin vrikthi me kokë në botën tjetër, si papagalli i Poetit, ose që gjendeshin të vdekur në zyrë, në bibliotekë, në stadium, në krevat, bordell etj.
Për këtë arsye, doktori i qytetit, asokohe riosh që nxirrte avuj nga etja për të zbuluar ndonjë melhem kundër kancerit, paranojës dhe etjes për pushtet, qe detyruar të merrej edhe me kafshët. Gjatë dy luftrave të fundit botërore dhe gjatë tre regjimeve politike që shkretuan vendin, doktori gjithëbëres nuk shëroi asnjë njeri, nuk ia shpejtoi askujt hapat për matanë, por arriti të ngrinte më këmbë mbi treqind kuaj, tetëdhejtë e tre gomerë, lopë e dele të panumurta, trembëdhjetë derra, dhe të gjitha kanarinat, gardelinat dhe qenat, qofshin këta rrugaçë, qofshin të fisëm. Beteja stërlodhëse dhe e pambaruar me vdekjen ia kish rrëzuar flokët, ia kish trashur xhamat e syzeve, ia kish bymyer barkun dhe ia kish mbushur xhepin. Pasuria, pavarësisht nga trashësia e syzeve, e forcoi që të mos ia bënte syri tërr para asgjëje, para askujt, dhe gjatë dhjetë viteve të fundit kish mjekuar e shëruar për qejf. Papagalli i Poetit të Dashurisë kishte qënë lënguesi i tij i zemrës; ishte kujdesur për atë papagall me ëndjen dhe vëmendjen, me të cilën do të kish përkujdesur dy gomerë, një kalë, ose dy ulçra njeriu. Për fat të mirë a të keq, papagalli në fjalë nuk kish vuajtur nga ndonjë sëmundje vdekjeprurëse. Para nja shtatë vjetësh, në dimër, doktori i kish vënë re një si rritje të kokës, të pashpjegueshme. Koka kish vazhduar të rritej, të bëhej sa një mollë, pastaj sa një dardhë, aq sa papagalli nuk e mbante dot lehtë mbi supe dhe kish nisur ta mbështette në një qosh të kafazit. Se mos i plasë, kishte thënë Poeti i Dashurisë dhe kish porositur në rrobaqepsi njëfarë kapuçi si ata të aviatorëve. Kapuçi rrethohej nga një rrotë prej bukëpeshku, si pjatë fluturuese dhe, kudo që të ndodhej, koka e papagallit rrinte e mbështetur pas kupolës së kafazit. Kjo të kujtonte qëndrimin gatitu të të dënuarve me giliotinë, por Poeti kish arritur në përfundimin se ishte më mirë kështu, sesa papagallit t’i thyhej qafa. Rritja e kokës kishte shtuar në mënyrë të pashpjegueshme edhe pasurimin e fjalorit. Papagalli mbante tani mend me dhjetra poezi dashurie, emra të dashurash të vdekura me kohë, historira pa ndonjë rëndësi të veçantë, monologje dehjesh, përçartje, etj. Ky është Ditari im më i saktë, thoshte Poeti me të qeshur, dhe duhet të kem kujdes që Ditarit të mos i plasë koka. Mirpo jeta e Ditarit nuk paskësh qënë në dorën e tyre, dhe Ditari, një mëngjes korriku, ndërroi jetë, kurse doktori, pasi e studioi për nja çerek ore, gjithnjë e më i çmeritur, belbëzoi:
- Më ke thirrur një muaj me vonesë.
- Si “një muaj me vonesë”?, - pyeti Poeti.
- Ka plot tridhjetë ditë që nuk rron!
- Është e pamundur, - tha Poeti. Unë mbrëmë bisedova me të dy orë.
- Zoti e di, - tha doktori. Unë them çfarë shoh. Po të duash, shkojmë i bëjmë edhe autopsinë, që të bindesh me sytë e tua.
- Dhe që t’i marr disketën e t’ia ve një Ditari tjetër! - qeshi Poeti me hidhërim. Nuk ka më rëndësi. Do ta varros dhe kaq. Më ka qënë besnik edhe një muaj pasi vdiq; kjo s’harrohet kollaj.
Doktorit desh i iku truri. Për herë të parë shihte një papagall që pat vdekur para një muaji dhe që, një mbrëmje më parë, kish folur dy orë me radhë. Por nuk ishte hera e parë që mendonte se në kokën çudibërëse të Poetit, koha mund të ishte bërë lëmsh.
- Di gjë sa është data? - pyeti.
- Di se ti akoma më di të shkalluar, - tha Poeti. Ç’më hyjnë mua datat në punë?! Mua më vdiq Ditari, ti do datën.
- Mos ma merr për keq, - tha doktori. S’më ka bërë vaki herë tjetër, prandaj.
- Nuk ta marr për ters. Sa të bën mundimi?
- Po më fyen tashti. Ti e di që Ditarin unë e kam mjekuar gjithnjë falas.
- Edhe ai falas është sëmurur. Falas edhe vdiq.
- Shikoje sa i është bërë koka, - tha doktori.
- Besoj se ka vdekur nga teprica e kujtesës. Mbajti sa mbajti dhe plasi. E ndjej veten fajtor, se nuk ma kishte borxh të m’i dëgjonte pallavrat.
- Të tërë plasim një ditë, - tha doktori. Ca nga shëndeti, ca nga kujtesa, ca nga harresa.
- Kurse unë ka nja tridhjetë vjet që s’po plas nga asgjë.
- Ti do të pranosh të të studioj, se je një fenomen.
- Unë jam vetëm poet. Një poet që s’ka rënë kurrë në dashuri me veten, dhe që kurrë s’ka vuajtur se si të bëjë dashuri me veten.



Varrimi i Ditarit u zhvillua në mbrëmje, nën një hënë të plotë, buzë lumit. Midis murit të shtëpisë së Poetit dhe gardhit të kopështit, lumi merrte një kthesë dhe kish hapur një oaz të vogël. Uji ishte i kristaltë dhe i heshtur. Pranë atij oazi e varrosi Ditarin. Mbi kokë i vendosi kapuçin dhe pjatëzën mbështetëse, kurse tek pllakëza e varrit shënoi vetëm kaq: “Ditari”. Pastaj ndjeu lodhje dhe u ul pranë oazit, futi këmbët në ujë dhe u mbështet pas një guri. Gjysmë i përgjumur, pa ndonjë hidhërim kushediçfarë, ngriti kokën dhe filloi të fliste me ëngjëllin. Kështu bënte saherë humbte dikë apo diçka të shtrenjtë, sidomos netëve me hënë të fortë: ulej aty dhe fliste me ëngjëllin. Nuk e kishte parë kurrë ëngjëllin, ndonëse njiheshin qysh në fëmini. Ende nuk e kam vrarë veten, i tha atë natë. As unë, qeshi ëngjëlli. Je plakur, pyeti Poeti. Je thinjur si mua? Jam thinjur me kokën tënde, tha ëngjëlli. Kështu ka qënë qyshkur jemi bashkë: gjakun e kam derdhur unë, paqen dhe fatmirësinë i ke pasur ti. Unë jam përleshur me ëngjëjt e zinj të dashuriçkave, dashuri ke bërë ti. Pastaj unë kam ndërhyrë të falesh… Të paska këputur malli për të folur, tha Poeti. Dhe për t’u mburrur. Të thuash të vërtetën nuk është mburrje, tha ëngjëlli. Poetin po e merrte gjumi. Iu kujtua se ishte Poet Dashurie dhe se ende nuk e kishte vrarë veten, megjithëqë shumica e fqinjëve dhe e qytetarëve në përgjithësi mezi kishin pritur që një ditë, papritmas, ai të hidhte trutë në erë. Pritja e tyre kishte qënë më tepër një dalldi e forcës së zakonit (kësisoj çliroheshin nga dhembjet poetët), sesa një ankth dashakeq. Mirpo ai nuk e kishte vrarë veten, kurse ata kishin vdekur njëri pas tjetrit me njëfarë hidhërimi ndaj jetës së tij, që po zgjaste përtej çdo mirësjelljeje. Njëri nga fqinjët, kur pa se shokët po e linin, besoi se, në një mënyrë o në një tjetër, do të merrte pjesë në varrimin e Poetit. Ishte sëmurur nga ajo bindje dhe kishte mërguar përfundimisht nga shtëpia. Kish vendosur një fronkë në oborr, përballë kullës së Poetit dhe nuk ua ndante sytë dritareve. Natë e ditë qëndroi atje, si ndonjë roje, i gatshëm të shpërndante lajmin e shumëpritur. Mirpo ai paskësh pasur një ëngjëll katil. Je bërë si ndonjë qen besnik i tij, e ngacmonte fqinji ëngjëllin e Poetit, kurse ëngjëlli vetëm buzëqeshte. Kur në qytet plasi njëfarë lufte civile dhe kur shtylysh njerëzish u dyndën udhëve dhe pushtuan shtëpitë e familjeve të ikura në mërgim, fqinji zgjodhi një rrugë tjetër. Ndofta Poeti nuk kishte me çfarë t’i hidhte trutë në erë. Ndofta thika dhe helmi e trembnin. Prandaj kishte nevojë për një revolver. I veshur me kostum (mbase me atë të zgjedhurin e qivurit), një mëngjes pranvere (ishte pikërisht stina e trullosjeve poetike dhe e mendimeve të bëra lëmsh, që të shtynin të besoje se nuk e jetoje dot tërë atë bukuri e ringjallje të natyrës), fqinji trokiti në portën e Poetit të Dashurisë dhe zgjati dorën e armëpushimit. Poeti ia dha dorën. Duke pirë kafe në kopështin me mollë, fqinji kishte mbajtur një fjalim tejet të frymëzuar mbi shprishjen e njerëzisë dhe mbi botën që kish marrë tatëpjetën. Njerëzia e parandjente fundin e botës, prandaj edhe ishte bërë bishë: të mirët po bëheshin edhe më të mirë, kurse të këqinjtë po bëheshin shtazë fare. Fqinji i tha Poetit edhe një të fshehtë jetike: fundi i botës do të vinte fiks në vitin 2000, kjo ishte e vdekur, sepse, veç të tjerash, atij, fqinjit, fiks në vitin 2000 i mbaronte pasaporta! Ky qe një argument dredhës. Prandaj, sa kishin ende kohë, të mirët duhet të mbroheshin nga të liqtë, bile edhe të armatoseshin. Poeti, sipas të dhënave të freskëta të fqinjit, ishte vënë në shënjestër. Nga kush? Nuk e dimë akoma me saktësi, por je vënë në shënjestër. Poeti ishte habitur, sepse me të vërtetë nuk shihte asnjë arsye për të qënë i vënë në shënjestër. Pasuri s’kishte, kriminel nuk ishte, me politikën s’ishte ngatërruar asnjëherë… Hëh-hëh, kishte qeshur fqinji, i cili paskësh qënë i dokumentuar më mirë se vdekja. Po më habit, or mik, kishte thënë fqinji. Nuk e ditke ti se kjo shtëpia jote, pasi të ndërrosh jetë, Zot na ruaj, do të bëhet shtëpi muze? Lozin ca pare këtu. Nuk e ditke ti se ditaret dhe dorëshkrimet e tua, nesër pasnesër do të kushtojnë miliona? Edhe këtu lozin ca pare. Atëhere? Prandaj, unë, si komshi i vjetër, kam ardhur të të qëndroj pranë në këto kohëra të vështira dhe ja: po të jap një pisqollë, ta kesh! Ta kesh për çdo rast. Është me mulli, nuk është fort e re, ama s’të bën syri tërr me të. Nuk të fal. Po ia mate ndonjë koke dhe po tërhoqe këmbëzën, koka në fjalë i thotë çiao kësaj dynjaje. Zaten, po s’ta mbushi mendjen, unë mund të të gjej ndonjë lloj tjetër. E ble me të lirë ne tregu dhe pikë. Vetëm ti të mos jesh në rrezik! Po unë them se edhe kjo është e mirë. Po të duash, dalim një ditë në pyll dhe e provojmë. Njeri s’na nget, se tashti tërë dynjaja e shkrep. Ca nga halli, ca nga malli, të tërë shtjenë sot. Apo jo?… Poeti kishte kërkuar dy javë kohë të mendohej dhe, pas ikjes së fqinjit, qe rrënqethur tek kuptonte se sa budalla e dinte njerëzia. Të mbyllur në guackat e tyre, në himerat e tyre jetëngrënëse, këta njerëz ia vinin gardhin botës aty ku e kishin vetë, përtej atij gardhi ishte hiçi dhe himerat e të gjithë të tjerëve - dhe në botën e secilit, vetëm ai ishte perandor dhe perëndi, vetëm ai kishte të drejtë, vetëm ai i dinte të gjitha; të tjerët ishin ca kufoma të pakallura, ca lëtyra që duheshin duruar nga halli. Dhe budallai e bënte hak fatin që kishte; sa më pak budallenj, aq më pak durim nga halli.
Ëngjëlli i Poetit qeshte i çmeritur. Jo, kish thënë, në ferr nuk ndodhin gjëra të tilla. Me këto që sheh këtu, ferri i duket njeriut si një shaka fëmijësh… Gjatë dyjavëshit që Poeti duhej të mendohej për ta pranuar apo jo pisqollën, vdekja rrëmbeu perandorin dhe perëndinë e botës së fqinjit. Poeti nuk pat marrë pjesë përveçse në varrimin e Ditarit, dhe nuk mori pjesë as në varrimin e fqinjit. Tek zgjohej nga këmbanat e fqinjit, në shtrat, me sytë nga lumi, pyeti veten se me çfarë magjie ua rrënonte jetët të tjerëve. Kishte qënë gjithnjë si një sprovë për të tjerët, pa përjashtim.
(...)


Nga "Nata pas viti Zero"
Prishtinë 1998
Vizatimi: A.-Ch. Kyçyku, "Duar", 1994