Incógnito [Copëza nga jeta e rojeve dhe anasjelltas]

roman

Botim onLine: Librarium Haemus, Bukuresht, ISBN: 978-606-8093-98-7 / Në letër: "Naimi", Tiranë, ISBN: 978-9928-234-01-8

Synopsis

Në një kazermë perëndimore që të kujton mërgimin, gjatë një mërgimi që ngjan edhe me vdekjen në mungesë, edhe me çlirimin nga çdo e tashme, një i ri shqiptar, rritur me bunker në oborr, (me nofkën Incógnito) caktohet roje, ose thjesht çon një jetë në dukje të rëndomtë. Për vite me radhë, tek shpreson të kthehet në dashurinë e hershme, ai ruan depo armësh e municionesh, salla librash, veten, kujtesën dhe disa të panjohur, i rrethuar nga eprorë e bashkëkohës që ndonjëherë sikur mishërojnë vetë fatin, në një hapësirë e kohë ku njeriu ka arritur të mos kushtojë më tepër se një plumb.
Ligjërimi i romanit rrjedh mbi tehun që bashkon e ndan metaforën nga e përditshmja dhe vendos një baraspeshë të çuditshme midis ngjarjeve, qënieve dhe sendeve të ngjashme e të kundërta, duke u dhënë mjaf fjalëve kuptime të pahasura më parë. Gjërat rrjedhin herë si në ëndër, herë si në zhgjëndërr, herë si në vegim, herë si në të gjitha bashkë, brenda e jashtë një bote tashmë të globalizuar. Kaosi i mendimeve, i shprehjeve dhe i ngjarjeve hyn në qënien e protagonistit dhe i nënshtrohet fjalës-kyçe “anasjelltas”, që sundon natyrshëm nëntekstin e librit. 
Brenda 24 vjetëve gjatë të cilëve shkruhet romani, kufijtë hapen; kazerma, ose mërgimi zgjerohen; poashtu edhe vendlindja, - në kahe e kohë të ndryshme, - ndërsa Incógnito jeton disa jetë, i bindur se vërtet “mund ta nxjerrësh njeriun nga mërgimi, por s’mund ta nxjerrësh më mërgimin nga njeriu”. Roja është shndërruar tashmë në diçka krejt tjetër; Incógnito nuk pranon të tjetërsohet edhe ngaqë di me përafërsi se sa të gjatë e ka jetën trupi i tij – dhe ndjen me saktësi se sa të gjatë mund ta ketë jetën shpirti i tij. Ai nuk del nga “hija”, duke vendosur që më mirë të mbetet “një askush i zgjedhur, se sa një dikush me një jetë të vetme”. Vazhdon të presë një dashuri tjetër atje ku dikur, bashkë me të dashurën, prisnin vdekjen. 
Autori, 2016


F r a g m e n t

Më kot ngrihen gracka para vështrimit të zogjve.
Se ata ngrenë kurthe kundër gjakut të tyre,
dhe shpirtit të tyre i ngrehin leqe.
Fjalët e urta të Solomonit, 1. 17, 18


Sipas disa fjalorëve të besueshëm, incógnito rrjedh nga incógnitus i latinishtes, alias dikush i njohur (i famshëm, i shquar), që udhëton nën emër tjetër, pa dashur të bjerë në sy. Ka edhe kuptimin person që dëshiron të mbetet i panjohur ndaj botës dhe të tjerëve, duke u fshehur, ose duke dalë nga dijenia e njerëzve.
Autori

Në këtë orë uleshim me Irisin para dritareve pa perde dhe prisnim vdekjen. Tani prisja tjetër vdekje. Isha roje dhe prej kohësh jeta ime nuk kushtonte më tepër se një plumb. Tyta e revolverit m’u ngjit në zverk dhe e ndjeva veten me dy sy e gjysmë. Syri i tretë do të më hapej sa hap e mbyll sytë, pastaj asnjëri nuk do të hapej më në këtë botë. Shpesh mjaftonte të mbyllja njërin sy dhe shihja dy botë. Ndoshta jo ato më të pranueshmet, por dy. As mbyllja e syve, as hapja e syrit të tretë, nuk dhimbte. Ose dhimbte më pak se litari, sëpata, thika, të cilave u mungonte zjarri. Por edhe shpirtit i qe mpakur zjarri. Ndoshta edhe zjarrit i qe mpakur shpirti. Sapo qe gdhirë: vjeshtë e dytë, gjethe që përkujtonin floririn dhe dehjen e kokës që mbështetet mbi gjirin, apo prehërin e së dashurës. Gjërat nuk shquheshin qartë, ishin në lindje a vdekje e sipër, ndonëse në brendësi të tyre, atje ku vështrimi nuk mbërrin, por zemra nuhat, vajtonin si ajo foshnja që ndjen se do të vdesë pa çuar në fund gati asnjë rrokje, asnjë ëndërr, dhe përdor lotin ose kujën në vend të fjalëve.

Barlove

Hand-made by Ardian-Christian Kyçyku, 2012, Bucharest, Romania. 
Copyright, including the word "barlove": Ardian Kyçyku

Trialog


[Ese ndërdisiplinore mbi lidhjet e letërsisë me mërgimin 
dhe me gjuhët që ajo zgjedh për të ruajtur Kujtesën dhe Metaforën]

“Trialog”-u synon të japë një pamje sa më përfshirëse, të shpjeguar edhe në mënyrë krahasimtare, mbi gjendjen e botës, të librit dhe të shkrimtarit sot, parë me sytë e një letërsie të përkushtuar, që nuk pranon të tjetërsohet.
Duke pasur njëherazi natyrë parabolike, enciklopedike dhe antologjike*, hartuar me synimin „Improving the quality of life” të European Academy of Performin Arts**, duke përdorur polemikën si shprehi të çdo baraspeshe të cënuar dhe duke synuar të ruajë ritmin me të cilin rifreskohen natyrshëm enciklopeditë dhe fjalorët letrarë, libri:
sjell të dhëna të panjohura, ose shprehur në trajtë të paplotë, nga dy kultura të ngjashme dhe me fat të përafërt, si ajo shqiptare e rumune, për të rilidhur dhe / apo rifreskuar disa fije të këputura të një bashkëpunimi të hershëm që, për fat të keq, është mbyllur kryesisht në çështje jashtëletrare;
  • e sheh Lindjen si një trajtë të zgjeruar kulturore të hapësirës ballkanike dhe Perëndimin – si një trajtë të ngushtuar politike të Evropës së Përhershme;

Buzëqeshja që s'do kalojë / Zâmbetul ce nu va trece [AL]

Teksti: Ardian-Christian Kyçyku (Bukuresht 1993)
Interpretoi: Dardana Bërdyna
Koncepti skenik: Albert Dedja
Prezantuese: Marina Grabovari
Gala Albanian Excellence
Nismëtare dhe organizatore: Flora N. Nikolla
Fotografia: A.-Ch. Kyçyku, Pogradec 2009
T i r a n ë, 2012

Zo-om [Tregim]


Prandaj nuk u dëgjua as kuja e maçokut Zoom. Prej vitesh në lagje nuk dëgjoheshin më as të qara foshnjash, as grahma pleqsh që japin shpirt. Këta kishin arritur të besonin se, po dhe shpirt me sa më pak zhurmë, të zgjatet jeta. Nga ana tjetër, ndonëse nuk u vinte rëndë të nxirrnin goje çudira, rropateshin të vdisnin me sa më pak bujë, që të mos u bëhej qejfi fqinjëve. Tani, sidomos në të hyrë të dimrit, kur ngrica i jepte ajrit trajtën e një shurdhimi të madh, dëgjoheshin vetëm lehjet e qenve, krokama e sorrave, cijatjet ngjethëse të sgalemave dhe ndonjë marrok, ose pijanec, që shfrynte e mallkonte si në ndonjë teatër ku kishin vdekur të gjithë shikuesit.
- Bota qënka ndarë tashmë në dy lloje vendesh, - nënqeshi Justini, teksa me njërën dorë u hidhte thërrime buke të mykur tri mjellmave që endeshin buzë liqenit, kurse me tjetrën mbante një libër të zverdhur.
- Tashmë, apo që kur është shkruar ai libër? - pyeti Lina, e motra.
- Asnjëherë nuk dihet me saktësi se kur është shkruar një libër, - ia preu ai.
- Unë di që të gjitha vendet po bëhen fshat, - tha njëra nga vajzat. Por nëse ai libri...
- Vende që të detyrojnë, - vijoi Justini leximin, - gjer edhe me mpirje të ngadaltë ndërgjegjeje, të besosh se gjërat do të shkojnë më mirë... dhe vende që të detyrojnë të shpresosh se gjërat nuk do të shkojnë më keq.

Mërgim i krahasuar...

„Një ngjarje në pamje të parë vetëm qesharake dhe absurde, vështirë për t’u besuar gjer edhe në dehje, ose në tepri poezie, më shtyu të shkruaj togfjalëshin "Mërgim i krahasuar". Degë e mundshme e imagologjisë dhe e semiotikës, në kushtet e sotme, ajo mund të ketë një të ardhme të veçantë, pra t'i vlejë më fort së kaluarës, se sa të tashmes. Pasi bleu njërin nga librat e mi virtualë në shqip, një e re që, - sipas të dhënave të CV-së, - nuk di veçse anglishten, mbase e formuar të besojë se në këtë rruzull ekziston vetëm një gjuhë, u mundua të ma lexonte librin dhe arriti në përfundimin se autori shkruan në një anglishte tmerrësisht të varfër dhe se libri është më i keqi i mundshëm, një ”catastrophic disaster”.

Është e vërtetë se lexuesit e këtyre dhjetëvjetshave kanë një padijë që nuk përtypet dot as edhe nga letërsia apo anekdotikja, aq sa nuk mungojnë rastet kur autori pyet veten se: Cili prej nesh është pjellë kot dhe / ose: Cili prej nesh nuk është lindur ende?! Lexuesit që ngatërrojnë të drejtën e lindur të të qënit shtetas me vuajtjen e të qënit i kulturuar, gjithmonë më sjellin ndërmend atë grup të rinjsh, - po nga një libër i shkruar në shqip dhe i lexuar në nuk di ç'gjuhë, - të cilët habiteshin: "Po ne kaçavida kemi – pse s'mund të zbërthejmë dot ca metafora?!" Tragjizmi i gjendjes besoj se bën pluhur çdo kënaqësi, gjer edhe tek autorët fillestarë. E vërteta na kumton, përtej çdo metafore, se turma të pafundme shtetasish-lexues, të bindur se ndodhen diku-dikur, nuk kuptojnë se tashmë janë gëlltitur nga një hapësirë që mund të emërtohet Syrgjyn në vitualitet".


„Pakica” - Ngjarje me 15 pamje dhe me disa lloje perdesh

Synopsis

Një grup pleqsh me prejardhje shqiptare vendosin të mësojnë gjuhën amtare, të cilën e kanë harruar, ose nuk e kanë folur kurrë. Mësuesi i gjuhës është një i ri që ka mërguar në fillim të viteve '90 dhe që merret me studimin e poezisë ballkanike. Orët zhvillohen në selinë e Bashkësisë. Një mbrëmje, për të fituar kohë dhe për t’ua lehtësuar mundimet, Mësuesi vendos të përdorë kryevepra poetike shqiptare. Me atë rast nxënësve u vjen një ide e thjeshtë, por e panjohur, e cila besojnë se do t’i shquajë qartë nga pakicat e tjera kombëtare, por edhe nga shumica. Mirpo askush nuk parandjen se, pasi të lexojnë dhe të përkthejnë, - bashkërisht, por edhe secili më vete, - „Vdekjen e Nositit”, ngjarja do të shkasë në(n) ca hapësira të panjohura, ku pakkush arrin ta njohë veten dhe të tjerët.

Së shpejti onLine